DAMASK, 26 dhjetor /ATSH-AFP/- Autoritetet e reja të Sirisë nisën sot një operacion në një bastion të ish-presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad – ndërsa një vëzhgues i luftës tha se ishin vrarë tre persona të armatosur të lidhur me ish-qeverinë.
Assad u largua nga Siria pasi rebelët e udhëhequr nga islamistët deklaruan se kishin marrë kontrollin e Damaskut në një ofensivë rrufe të dielën, më 8 dhjetor.
Pas 13 vitesh lufte civile të shkaktuar nga shtypja e protestave të demokracisë drejtuar nga Assad, udhëheqësit e rinj të Sirisë të grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) përballen me detyrën monumentale për të mbrojtur vendin multi-sektar dhe multietnik nga kolapsi i mëtejshëm.
Me rrënjë në degën siriane të Al-Qaeda-s, një grup xhihadist mysliman sunit, HTS ka moderuar retorikën e tij dhe është zotuar të sigurojë mbrojtje për pakicat, duke përfshirë komunitetin Alawite nga i cili vjen Assad.
Me 500 000 të vdekur në luftë dhe më shumë se 100 000 të zhdukur, autoritetet e reja gjithashtu kanë premtuar drejtësi për viktimat e abuzimeve nën udhëheqjen e sundimtarit te rrëzuar.
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA tha sot se forcat e sigurisë kishin nisur një operacion kundër milicive pro-Asaad-it në provincën perëndimore të Tartus, duke neutralizuar një numër të caktuar burrash të armatosur.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, tre persona të armatosur të lidhur me qeverinë e Asaad-it ishin vrarë gjatë operacionit.
“Operacioni vjen një ditë pasi 14 punonjës të sigurisë së autoriteteve të reja dhe tre persona të armatosur u vranë në përleshjet në të njëjtën provincë ku forcat u përpoqën të arrestonin një oficer të Asaad-it”, sipas Observatorit.
Monitoruesi me qendër në Britani të Madhe tha se i kërkuari, Mohammed Kanjo Hassan, ishte një zyrtar i drejtësisë ushtarake që kishte lëshuar dënime me vdekje dhe gjykime arbitrare kundër mijëra të burgosurve në kompleksin famëkeq të burgut “Saydnaya”. //a.i/
