Agjencia Telegrafike Shqiptare

SARAJEVË – Ministri i Sigurisë, Nenad Neshiç arrestohet nën akuzën për korrupsion

SARAJEVË, 26 dhjetor /ATSH-FENA/ – Në një hetim të kryer nga Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimin e Organizuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska, ministri i Sigurisë, Nenad Neshiç, drejtori i ndërmarrjes publike ”RS Roads”, Milan Dakiç dhe pesë persona të tjerë u arrestuan sot në lidhje me veprat penale të lidhura me korrupsionin.

Ndërkohë, sipas AFP, Neshiç, 46 vjeç, dhe gjashtë të dyshuar të tjerë të arrestuar për të njëjtin rast, “dyshohen (…) për konspiracion kriminal, pastrim parash, shpërdorim të detyrës dhe marrje ryshfeti”.

Përpara se të emërohej ministër i Sigurisë në janar 2023, Neshiç ishte drejtor (2016-2020) i kompanisë në fjalë, një ndërmarrje publike e entitetit serb të Bosnjes, përgjegjëse për ndërtimin dhe menaxhimin e rrugëve.

Neshiç është kryetar i partisë politike ”Bashkimi Demokratik Popullor” (DNS) dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Republika Srpska (RS), Milorad Dodik.

Arrestimi i Neshiç vjen në një kohë tensionesh të forta mes subjektit serb dhe drejtësisë qendrore të vendit pikërisht për shkak të gjykimit të Milorad Dodik.

Lideri politik i serbëve të Bosnjes për gati 20 vjet, Dodik është i afërt me Kremlinin dhe është i sanksionuar nga SHBA për aktivitetet e tij separatiste dhe dyshimet për korrupsion./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version