TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Veliaj qendroi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për më shumë se 5 orë dhe u tha shkurtimisht gazetarëve pasi doli nga SPAK, se “do të sqaroj gjithçka nga mbledhja e Këshillit bashkiak”.
Kjo është hera e dytë që kreu i bashkisë Tiranë paraqitet në SPAK, pas dëshmisë që dha për disa orë më 30 prill të këtij viti në lidhje me hetimet që po kryen Prokuroria për inceneratorin e Tiranës.
Ndërkohë në fillim të këtij muaji, më 6 dhjetor, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontrolle në banesën e Veliajt dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Vetë Xoxa u mor në pyetje nga prokuroria e Posaçme pak ditë më parë.
Sipas mediave ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe familjarëve të tij, SPAK po kryen një hetim pasuror
Në komunikimet e tij publike pas kontrolleve të BKH-së, kryebashkiaku tha se është i hapur dhe bashkëpunues me hetimet që të zbardhet e vërteta e sulmeve politike.
/a.f/
