Agjencia Telegrafike Shqiptare

Miratohet strategjia e sipërmarrjes inovative, Ibrahimaj: Përfshin gjashtë sektorë, nga turizmi, te bujqësia

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Këshilli i Ministrave miratoi sot strategjinë e sipërmarrjes inovative (2025-2030), e cila parashikon një plan masash zhvillimin e sipërmarrjes inovative.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh se kjo strategji mbështet vizionin e qeverisë për të pasur një ekonomi e cila mbështet rritjen e inovacionit, ndërsa ky i fundit mbështet rritjen ekonomike.

“Strategjia do të përqendrohet në gjashtë sektorë të caktuar, sektorë të identifikuar në një tjetër strategji kombëtare, ajo S3. Strategjia është e përqendruar në nxitjen e inovacionit në sektorë si turizmi, energjia, bujqësia etj., të cilët më së shumti kanë nevojë për rritje të produktivitetit”, tha Ibrahimaj.

Ministrja shprehu besimin se mbështetja e startup-eve në këto sektorë do të ndikojë në rritje të produktivitetit, të konkurrueshmërisë dhe në çeljen e tregjeve për bizneset shqiptare, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version