Agjencia Telegrafike Shqiptare

Linda Rama: Dhashë tri dorëheqje para martesës me Edin, pa m’i kërkuar njeri

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Linda Rama, gjatë emisionit “Opinion”, tha sot se ka dhënë tri dorëheqje përpara se të lidhte martesë me Kryeministrin Edi Rama, asokohe kryetar i bashkisë së Tiranës dhe kryetar i opozitës.

Zonja Rama tha se martesa u lidh në vitin 2010, teksa njohja me Edin daton që në vitin 2002. Ajo u shpreh se dorëheqjet nuk ia ka kërkuar njeri, madje nga Fondacioni “Soros” ka patur dhe rezistencë.

“Ne jemi martuar në vitin 2010. Edin e kam takuar për herë të parë në vitin 2002. Takimi ka ardhur në kuadër të hartimit të një raporti për zhvillimin njerëzor, që është një nga publikimet më dinjitoze të viteve të tranzicionit. Arsyeja ishte sepse tema e raportit ishte për decentralizimin dhe Tirana ishte një nga institucionet më pararojë që po shkonte me shpejtësi drejt thellimit të proceseve të decentralizimit. Ishim një grup ekspertësh që u ftuam dhe unë isha pjesë e takimit me Edin dhe aty kam takuar për herë të parë”, tha zonja Rama.

E pyetur për dorëheqjen nga bordi drejtues i Fondacionit “Soros”, zonja Rama tha se para javës së martesës me Edi Ramën ka dhënë dorëheqjen edhe nga dy pozicione të tjera pa ia kërkuar njeri. “Jo se kishte problem etik, por sepse sistemi im arsyetues dhe etika ime e brendshme ma thoshte këtë gjë.”

“Nëse do shkonim në historikun e bordit drejtues të fondacionit Soros, nga viti 1991 kur është stacionuar në Shqipëri, do të shihni se procesi përzgjedhës ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm për të sjell aty kapacitete të dobishme për të gjitha aktivitetet e fondacionit. Aty ka patur dhe figura si Ismail Kadare. Procesi ka qenë i kujdesshëm dhe karriera ime profesionale deri në atë moment dhe si një person që isha aktive në shoqërinë civile, i krijojë të gjitha rrethanat për tu ngjitur më tej.

Unë e kam nisur si anëtare e bordit dhe dy vitet e fundit në mos gaboj mora dhe rol drejtues. Në vitin 2010, para javës së martesës me Edin unë kam dhënë tri dorëheqje nga martesa, pa m’i kërkuar njeri. Jo se kishte problem etik, por sepse sistemi im arsyetues dhe etika ime e brendshme ma thoshte këtë gjë. Dhashë dorëheqjen nga drejtuese e zyrës ku punoja, një dorëheqje ka qenë largimi nga auditori si lektore, sepse jepja Politika Publike në nivelin master dhe dorëheqja e tretë ka qenë nga bordi i Fondacionit ‘Soros'”, theksoi zonja Rama.

Sipas saj, “nga bordi drejtues i Fondacionit ‘Soros’ ka pasur rezistencë të fortë që të mos pranonin dorëheqjen time, sepse e kishin të pamundur të pranonin që pozicioni i Edit, Kryetar Bashkie dhe drejtues i opozitës në atë kohë, të ishte një plumb ekzekutues për karrierën time që kishte ardhur si rezultat i kontributeve dhe meritave që kisha. Jam ndjerë shumë mirë, sepse aty kam kuptuar shkallën e maturisë së atyre njerëzve dhe insistimin për të mos krijuar precedent që pastaj mund të rezononin si arsye tek të tjerët”, u shpreh më tej zonja Rama.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version