Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosovë – Dështon mbledhja e KQZ-së, mungon opozita

PRISHTINË, 26 dhjetor/ATSH/ Ka dështuar mbledhja e sotme e Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mbledhje munguan anëtarët e KQZ-së nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Në rend të ditës për shqyrtim mes tjerash ishte njoftimi për afatin e aplikimit për regjistrim të votuesve nga jashtë Kosovës.

Kjo pikë sipas anëtarit të KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi ishte arsyeja e mungesës së këtyre anëtarëve në mbledhjen e sotme. Ai shtoi se në mbledhjen e sotme ishte parashikuar edhe shtyrja e afatit për regjistrimit të diasporës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sot është afati i fundit për t’u regjistruar mërgata, për të votuar. Kështu kishte njoftuar kryeministri i vendit Albin Kurti, përmes një videomesazhi në rrjetin social Facebook duke u bërë thirrje atyre që nuk janë regjistruar te regjistrohen.

/Kosovapress//a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version