TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, Linda Rama iu përgjigj sot nga studio e emisionit “Opinion” akuzave të ngritura nga Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike, i cili u është drejtuar me një shkresë zyrtare institucioneve zyrtare për sa i përket raporteve që përgatiten për vendin tonë.
Në letrën e firmosur prej anëtarëve të grupit, thuhet se Linda Rama si gruaja e kryeministrit të vendit nuk mund të përgatisë raporte për vendin. Sipas tyre cenohet etika dhe objektiviteti profesional.
Zonja Rama, duke iu përgjigjur akuzave të PD dhe duke marrë shkas nga letra, shprehet se nuk mund t’i njohësh vlerat një profesionisteje dhe më pas t’i dyshosh etikën.
“Është e vërtetë ky është një zhvillim i muajit të kaluar në mos gabohem ku Grupi Parlamentar i PD me firmën e të gjithë anëtareve të grupit i drejtoi një letër të gjithë institucioneve ndërkombëtare që kanë prezencën në Shqipëri duke iu kërkuar që të mos më angazhojnë mua në aktivitetin e tyre. Ndërkohë që unë kam 25 vite që punoj në mënyrë të vijueshme me institucionet ndërkombëtare. Tani ka dy momente në atë letër që sipas meje mund të komentohet më shumë.
E para, në atë letër Grupi Parlamentar i PD shpreh vetëdijen e tij dhe konfirmon që unë jam një eksperte e padyshuar për aftësitë e mia profesionale. Mendoj se kjo është një risi në traditën politike në Shqipëri, aq më shumë në nivele të tilla institucionale që të konfirmojnë, që është niveli më i lartë politik. Grupi Parlamentar i PD, i opozitës që të konfirmojë aftësitë profesionale të një njeriu të lidhur me kundërshtarin e tyre politik. Në mozaikun tim të konfirmimeve dhe të vlerësimeve për aftësitë e mia profesionale unë mund të them që ky mozaik tashmë është i plotë”, theksoi zonja Rama.
Ajo tha se “nuk ka një profesionist i cili vlerësohet gjithë jetën në profesionin e vet që të mos vlerësojë faktin që në mozaikun e plotë të konfirmimeve që merr për profesionin. Unë e kam marrë nga ndërkombëtarët, unë e kam marrë nga kolegët, unë e kam marrë nga ata të cilët punojnë në të njëjtën fushë siç punoj unë, e kam marrë dhe sot nga Grupi Parlamentar i partisë opozitare dhe për mua kjo është një arritje shumë e madhe”, shtoi zonja Rama.
“Momenti i dytë që meriton vëmendje është që ndërsa pohohet që unë jam një profesioniste shumë e mirë, thuhet që dyshohet etika dhe objektiviteti i produktit të një profesionisti shumë të mirë. Po unë sapo ju shpjegova një gjë që unë kam dhënë 3 dorëheqje, jo se m’u kërkuan, por sepse sistemi i brendshëm etik e donte që unë të lija pas dore këto. Por, unë nuk hoqa dorë kurrë nga karriera ime profesionale, unë vazhdova të punoja profesionalisht. Unë hoqa dorë nga auditori ku jepja mësim politikat publike, nga bordi i cili financonte pushtetin lokal, shoqëritë civile, individë dhe nga drejtimi i zyrës që kishte kontakte me institucionet ndërkombëtare për të mos konfuzuar këto lloj pozicionesh”, tha zonja Rama.
/a.f/
