Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qarku Kukës: Akset rrugore nacionale, të kalueshme, OSHEE po riparon defektet në rrjet

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Prefektura e Qarkut Kukës bëri me dije sot se të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme megjithëse se moti është me erë dhe në lartësinë mbi 1000 m ka reshje të dobëta dëbore.

Subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë kohës me të gjitha kapacitetet për pastrimin nga bora, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të këtyre akseve.

Rruga Kukës – Shishtavec është e kalueshme me pajisje antirrëshqitëse dhe goma dimërore.

Në akset rrugore të Tropojës, Bajram Curri – Morinë, Bajram Curri – Valbonë, Bajram Curri-Fierzë-Lekbibaj, ka dëborë të ngrirë, po hidhet kripë dhe nuk ka probleme për qarkullimin me përdorimin e pajisjeve antirrëshqitëse.

Të gjitha rrugët e tjera nacionale të Qarkut Kukës nuk paraqesin asnjë problematikë.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë Rrugore kanë vazhduar patrullimet në lëvizje gjatë gjithë kohës. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente. Nga strukturat e Emergjencave Civile të bashkive ka vazhduar puna për hapjen e rrugëve që lidhin fshatrat me njësitë administrative e rrugët nacionale.

I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç disa njësive administrative për të cilat bëhet e ditur se OSHEE po punon për eliminimin e këtyre defekteve. Ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm është normal.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version