Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta, PD kallzon në SPAK ministrin dhe drejtues të Policisë së Shtetit

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes kryetarit Gazment Bardhi ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokurorinë e Tiranës, ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha si dhe drejtues të Policisë së Shtetit.

Partia Demokratike njofton se grup parlamentar ka kallëzuar në SPAK dhe prokurorinë e Tiranës drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Ilir Prodia, drejtorin e Drejtorisë Vendore Tiranë, dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

PD, përmes një njoftimi për shtyp bën të ditur se në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që dëshmojnë se tubimi i njoftuar nga Partia Demokratike ishte tërësisht i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal.

“Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit”, bën të ditur PD.

Partia Demokratike të hënën pasdite zhvilloi protestën  e saj të radhës, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në pesë kryqëzime të Tiranës, çka solli dhe paralizimin e qarkullimit të automjeteve. Policia e Shtetit e u bëri apel drejtuesve të protestës dhe protestuesve të lejonin qarkullimin e mjeteve. Policia u kujtoi pjesëmarrësve në protestë se bllokimi i qarkullimit rrugor është një vepër penale. Por thirrjet e Policisë nuk u dëgjuan dhe bllokimi i kryqëzimeve zgjati gati 3-orë, gjatë të cilave pati dhe tensione e përplasjes mes Protestuesve dhe Policisë.

Policia njoftoi sot se ka arrestuar 7 persona dhe se ka proceduar në gjendje të lirë 40 deputetë të opozitës në lidhje me protestën e djeshme të opozitës.

/a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version