Agjencia Telegrafike Shqiptare

Moscertifikimi i Listës Serbe, Gjermania: Procesi nuk duhet të politizohet

PRISHTINË, 24 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj moscertifikimit të Listës Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Rohde ka thënë se procesi i certifikimit është procedurë formale që nuk duhet të politizohet.

“Unë ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me moscertifikimin e Listës Serbe. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është procedurë formale që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në X.

Për moscertifikimin e Listës Serbe edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kanë shprehur shqetësim.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë ka reaguar një ditë më parë duke thënë se ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe.

Ai tha se, “ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor”.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version