Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sulmi në Ibër-Lepenc, Ambasadori Hill: FBI po mbështet hetimin

PRISHTINË, 23 dhjetor/ATSH/ Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës.

“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, në Zubin Potok, më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim, i cili ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, që furnizon me ujë disa qytete, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Hill shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje drejt akuzave të ndërsjella”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi ishte kryer me deri në 20 kilogramë eksploziv.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e hodhi poshtë një gjë të tillë.

Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë të cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998-99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.

Sulmi u dënua ashpër nga SHBA-ja dhe shtete të Bashkimit Evropian. /REL/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version