TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ I gjithë territori i qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore me intensitet mesatar.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca në një prononcim për ATSH-në bën të ditur se pavarësisht reshjeve të borës, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.
Sipas tij, subjektet kontraktore vazhdojnë punën me të gjitha kapacitetet për pastrimin nga bora, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të këtyre akseve.
Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has, sipas Prefektit, nuk ka raportime për problematikë emergjente, ndërsa theksoi se strukturat e Emergjencave Civile të bashkive po monitorojnë situatën.
Geca bën të ditur se në disa njësi administrative dhe fshatra të bashkisë së Tropojës, është raportuar për ndërprerje të furnizimit me energji dhe po punohet për riparimin e avarive.
“Probleme me furnizimin me energji ka në njësitë administrative Lekbibaj, Margegaj, Tropojë, fshatrat Gjelaj, Çerem, Markofçë, Sopot, Kërrnajë, Myhejan. Nga strukturat e OSHEE Tropojë po punohet për eleminimin e këtyre avarive”, tha ai.
Ndërkohë, po kryhet furnizimi normal me ujë të pijshëm.
/a.f/
