TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Konferenca e Kryetarëve nuk miratoi sot kërkesën e 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Në drejtimin e Kryetares, Elisa Spiropali, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, për të shqyrtuar kërkesën e 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.; ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”.
Konferenca e Kryetarëve nuk arriti të përcaktojë elementët e përcaktuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e komisioneve të Kuvendit, dhe nuk u miratua kërkesa e paraqitur për krijimin e komisionit hetimor.
Çështja i kaloi seancës së parë plenare pas hapjes së sesionit të ri parlamentar.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi duke u shprehur se kjo është dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve.
“Refuzimi i mazhorancës për hetim parlamentar për aferën e Portit të Durrësit nuk është thjesht antikushtetues, por është dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve, por vetëm interesave të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe klientëve të tyre”, u shpreh Bardhi në një postim në rrjetin social X.”
Një mazhorancë që ka bindjen se projekti është në interes të zhvillimit, pse ka frikë nga transparenca, pse ka frikë nga hetimi parlamentar, pse pengon ushtrimin nga opozita të të drejtës së saj për kontroll parlamentar?”, theksoi Bardhi.
Sipas tij, “pengimi ka vetëm një qëllim: Të fsheh për pak kohë aferën korruptive të Portit të Durrësit, edhe pse ajo po del në sipërfaqe dita ditës”.
“E vërteta mund të pengohet të dalë plotësisht për pak kohë, siç u pengua për vite e vërteta për inceneratorët, por ajo nuk mund të pengohet përjetësisht. Përgjegjësit e kësaj afere do të mbajnë përgjegjësi të plotë, sado të përpiqen, që në kundërshtim me Kushtetutën dhe më votë politike, të refuzojnë hetimin parlamentar”, tha Bardhi.
/gj.m/ /a.g/
