Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mbyllja e TikTok, Berisha: Akt censure pasi nuk e blen dot, e rihapim

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reaguar pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Edi Rama për mbylljen e platformës së TikTok, për një vit.

Përmes një postimi në TikTok, Berisha shprehet se ndalimi i kësaj platforme digjitale, është një akt ekstrem, teksa ndalet te përgjigja e dhënë nga vetë platforma për rastin e vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani një muaj më parë.

Ndër të tjera, krye demokrati i bën thirrje qytetarëve që të bëjnë thirrje mbrojtjeje të kësaj platforme.

“Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e Tik Tok-ut”, thekson Berisha

Sipas tij, “ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë. Mirëpo, kompania e Tik Tok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete. E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet. Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri. Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma”, shkroi Berisha.

Ai garantoi se, platforma e Tik Tok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve.

/a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version