TIRANË, 22 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit për përmbylljen e shpërndarjes së titujve të pronësisë në Himarë, u shpreh se vlera e shtëpive është rritur në mënyrë domethënëse krahasuar me 10 vjet më parë dhe do të vazhdojë të rritet si rezultat i investimeve që do të bëhen në këtë bashki.
Kryeministri bëri të ditur se ka një sërë projektesh të reja të cilat prekin jo vetëm qytetin e Himarës, por edhe pikat e tjera, ndërsa siguroi për gjithë vendosmërinë që të realizohen në kohë dhe me cilësi.
“Ka ndryshuar një gjë shumë e rëndësishme në marrëdhënien e qeverisë me bashkinë e Himarës. Sot nuk është më qeveria që me hosten shtyn bashkinë që të bëjë projekte, por është bashkia që na rri në kokë për të kërkuar të mbështesim projektet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se së shpejti do të nisin projekte të reja, që do të përmirësojnë më tutje infrastrukturën duke rritur cilësinë e jetës përmes investimeve.
Lidhur me parkimet publike, Rama u shpreh se po diskutohet një projekt për një parkim të madh nëntokësor te fusha e sportit, ku do të mund të akomodohen shumë mjete, ndërkohë që fusha do të jetë po aty, por parkimi do të jetë nëntokësor.
Po ashtu, kryeministri theksoi se do të bëhet një ndërhyrje shumë e bukur në qendrën e Himarës.
“Do të ndërhyjmë në qendrën e Himarës, aty ku është një çudi e madhe dhe ku fare mirë mund të bëhet një qendër shumë e bukur për ta çliruar edhe më shumë energjinë që mund të çlirojë qyteti. Por mbi të gjitha për të bërë që edhe brenda qyteti të jetë i vizitueshëm dhe të ketë më shumë ekonomi në kohën e sezonit turistik, gjë që sot është shumë e vështirë për shkak të trafikut e bllokimeve”, tha Rama.
Zona e qendrës së Himarës, sipas kryeministrit është e gjitha jashtë çdo lloj standardi dhe pamje për një qytet që ka marrë kaq shumë emër dhe tërheq kaq shumë vizitorë dhe turistë.
“Parkimet e reja publike të ndërtuara në bashkëpunim mes bashkisë së Himarës dhe FSHZH-së janë pjesë e planit që kemi për vitet e ardhshme”, tha Rama.
/a.f/
