TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se në historinë e vendit tonë, askush nuk ka bërë më shumë për lirinë se sa Azem Hajdari.
I pranishëm në një takim në departamentin Brain Gain dhe Ekselenca në selinë e PD me temë; “Në kërkim të simboleve: Azem Hajdari si simbol i lirisë”, Berisha tha se “po harrove të shkuarën, të ardhmen nuk e ke kurrë të sigurtë dhe kjo është e provuar me qindra herë në histori”
“E shkuara të duhet për një qëllim, për të projektuar të ardhmen. Dhe këto të reja dhe të rinj, në këtë vrazhdësi, kohë të vrazhdë ta quajmë për PD, këta zgjodhën që trashëgimnia dhe simbolet jo veç të PD, të mos harrohen, por të nderohen, kujtohen, si burim frymëzimi për shqiptarët.
Këta kanë trajtuar çështje të tjera të cilat unë i kam vlerësuar shumë, një seri nismash, siç është nisma ‘Dhuro një libër’, i kanë dalë zot librit në një kohë shumë të vështirë për librin dhe në një kohë kur libri në mënyrë të padrejtë po skajohet nga aplikacionet e ndryshme, të cilat nuk e zëvendësojnë kurrë atë”, thekson Berisha.
“Por këta kanë qëndruar në anën e drejtë, janë marrë me librin dhe një seri temash të tjera. Kanë zgjedhur sot për të na bashkuar këtu, një simbol të vërtetë të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarin.
Unë mund tu them këtyre zotërinjve që nuk e kanë njohur, por në historinë tonë kombëtare nuk ka një individ si person, që të ketë bërë më shumë për lirinë e shqiptarëve se sa Azem Hajdari si person”, u shpreh Berisha ndër të tjera.
