Agjencia Telegrafike Shqiptare

Nga 1 janari rreth 2600 klientë të lidhur në linjën 10 kV dalin në treg të lirë

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) fton të gjithë klientët në lidhur me tensionin 10 kV, të lidhin kontratën e shërbimit me energji elektrike brenda dhjetorit 2024.

Administratori i FTL-së, Albi Gjenerali në një prononcim në media, theksoi rëndësinë e respektimit të afateve dhe prioritetet që ofron FTL, pjesë e OSHEE Group, në lidhje me sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe cilësinë e shërbimit.

Procesi i furnizimit në treg të lirë nisi në 2018-n me subjektet e lidhura në tension 35 kV dhe më pas vijoi në 2024-n me kategorinë e klientëve të lidhur në 20 kV, në zbatim të ligjit për liberalizimin e sektorit.

Nga 1 janari 2025, rreth 2600 klientët e lidhur në 10 kV, që janë kryesisht biznese të vogla dhe të mesme, do të duhet ta kenë lidhur kontratën me njërin nga operatorët e licencuar nga ERE për furnizimin me energji elektrike, mes të cilëve është edhe shoqëria publike FTL.

Deri tani, diku 500 biznese të lidhura në tensionin 10 kV janë ofruar pranë FLT dhe kanë lidhur kontratat.

OSHEE ka kryer fushata të vazhdueshme për të ndërgjegjësuar bizneset për të gjetur një furnizues të lirë, një ndër të cilët është edhe FTL. Por, çdo biznes ka të drejtë që duke bërë një njoftim 15 ditë përpara mund të ndryshojë furnitor, me kusht që të mos jetë debitor.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version