Agjencia Telegrafike Shqiptare

RUSI – Putin: Të gatshëm për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë

MOSKE, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti rus, Vladimir Putin ka rikonfirmuar gatishmërinë e tij për të negociuar përfundimin e luftës pothuajse trevjeçare në Ukrainë.

“Gjithashtu jemi të përgatitur të bëjmë lëshime”, tha sot Putin në konferencën e tij vjetore për shtyp në Moskë në përgjigje të një pyetjeje nga transmetuesi amerikan NBC.

“Politika është arti i kompromisit”, tha udhëheqësi afatgjatë i Rusisë, duke mos dhënë asnjë detaj mbi kompromise të mundshme.

Në të njëjtën kohë, ai akuzoi sërish Ukrainën për bllokimin e negociatave.

Putin, i cili urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, kujtoi dështimin e një marrëveshjeje që Moska dhe Kievi u përpoqën të përfundonin në Stamboll menjëherë pas fillimit të luftës.

“Marrëveshja u refuzua përfundimisht nga Ukraina nën presionin e Perëndimit”, tha ai.

Putin, gjithashtu nuk përjashtoi mundësinë e një takimi me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Megjithatë, ai nuk e dinte se kur mund të ndodhte një takim i tillë.

“Unë nuk kam folur me të për katër vjet”, tha Putin, duke shtuar se deri më tani nuk kishte pasur asnjë propozim nga ekipi i Trump për një takim.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version