TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Këshilli bashkiak i Shkodrës miratoi sot buxhetin e vitit 2025. Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ishte pranishëm në punimet që zhvilloi këshilli bashkiak i Shkodrës dhe prezantoi risitë e buxhetit të vitit 2025, ndërsa renditi dhe prioritetet.
Beci theksoi se vizioni i tij dhe i mazhorancës socialiste është që Shkodra të shndërrohet në kryeqendër të rajonit. Ai tha se investimet kapin shifrën e 45 milionë eurove. Opozita kundërshtoi buxhetin e paraqitur, ndërsa tentoi dhe bllokimin e punimeve.
Pas debatit, këshilli bashkiak miratoi me 30 vota pro buxhetin e bashkisë së Shkodrës për vitin 2025.
Pas votimit të buxhetit në këshillin bashkiak, kryebashkiaku Beci, në një postim në rrjetet sociale shkruan: “Sot, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, bëra një prezantim shumë konkret të investimeve të përfunduara me sukses, atyre në proces dhe të planifikuara për të filluar në vitin 2025.”
“Janë projekte që përmirësojnë shërbimet publike dhe cilësinë e jetës së çdo banori, si në lagjet qendrore dhe periferike të qytetit, ashtu edhe në fshatrat e bashkisë Shkodër, nga Velipoja, deri në Dukagjin”, vijoi Beci.
Ai tha se “aktualisht, me një mbështetje të fortë nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët ndërkombëtarë, janë në proces rreth 45 milionë euro investime në territorin e bashkisë sonë. Këto përfshijnë: Rrugë, shërbime publike, parqe; Kanalizime, kanale kulluese dhe vaditëse; Trotuare dhe rrugë biçikletash; Shkolla, terrene sportive, muze dhe godina kulturore; Rikualifikim të lagjeve dhe termoizolim të pallateve; Tregje, parkime dhe ndriçim publik”.
Beci u shpreh “mirënjohës karshi çdo këshilltari që ka zgjedhur t’i shërbejë Shkodrës duke votuar pro buxhetit të vitit 2025. Ky buxhet do të na mundësojë të shumëfishojmë kantieret e punës gjatë vitit të ardhshëm.
Ndjej keqardhje për skenat e pazakonta të disa prej këshilltarëve të opozitës, të cilët pamundësuan mbajtjen e një debati normal dhe demokratik rreth dokumentit më të rëndësishëm të bashkisë: buxhetit. Jam plot besim se, për të mirën e Shkodrës, do të mundemi të rigjejmë forcën për bashkëpunim përtej retorikave dhe ndasive politike”.
“Për ne, i rëndësishëm është forcimi i besimit të qytetarëve te Bashkia Shkodër, si dhe mbështetja ndaj vizionit tonë për rikthimin e Shkodrës si qendër rajonale. Do të vijojmë çdo ditë, hap pas hapi, me vullnet, këmbëngulje dhe dëshirë për realizimin e çdo projekti që na çon drejt një Shkodre më të mirë dhe të begatë për çdo qytetar, kudo që ai jeton në territorin tonë. Na priftë e mbara!” – mbyll postimin e tij kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.
/a.f/r.e/
