TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha sot se projektligji për faljen gjobave për ndërtimin pa leje në zonat rurale, po kalon në kundërshtim me procedurën e Kuvendit.
“Po kalon me procedurë të përshpejtuar, por nuk është votuar në Kuvend një gjë e tillë për këtë pr/ligj. Vjen dhe katër vite pas tërmetit, 5 vite nga pandemia. Tani u kujtuat! Po mirë që u kujtuat sot, por një ndjesë formalisht duhet ta kërkoni”, tha Spaho.
“I mbani mend debatet këtu, kur miratuat këtë ligjin e gjobave? Jeni po ju këtu, që thoni të kundërtën, vini e hidhni poshtë atë që e cilësonit si shtetformim. Tani thoni që paska qenë i gënjeshtërt ky shtetformimi”, tha Spaho.
Deputeti i PD tha se Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar këto gjoba, duke i cilësuar masat disproporcionale. “Pra masa e gjobës ishte disproporcionale me shkeljen, automatikisht ka rënë gjoba. Dhe së treti, proporcionaliteti ju rrëzon dhe prishjet që keni bërë, pasi Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar disproporcionale me ndërtimin që ka bërë fermeri. Duhet t’i paguani fermerët për dëmin. Gjoba kur kalon dy vite, parashkruhet. Atëherë çfarë po falni ju? Me kod administrativ është kjo që ju them. Ju po falni diçka që ligji e ka falur”, tha Spaho.
/a.f/r.e/
