TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i kërkoi Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali të ndërpresë seancës plenare dhe Kuvendi të votojë për rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë.
Por Kryetarja e Parlamentit iu përgjigj se nesër dy Kuvendet Shqipëri-Kosovë do të dalin me një deklaratë të përbashkët që do të përfshijë shumë çështje.
“Meqënëse edhe në mëngjes e ngrita para mediave, tani thashë ta shtroj edhe në parlament. Të ndërprisni menjëherë punimet, të sillni këtu rezolutën për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë, se përndryshe ulja juaj në parlamentin e Kosovës është më e largët si përfaqësues të Shqipërisë dhe më e afërt si përfaqësues të Serbisë, sepse, ju keni refuzuar rezolutën. Votoni sonte rezolutën e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë, në mënyrë që të shkoni nesër si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e shëmtuara”, tha Berisha.
“Unë, po ju them ju këtu, që në librat e gjenocidit ato janë të përshkruara si krimet më të padëgjuara ndonjëherë në histori, dhe ju e hidhni poshtë këtë. Prandaj, zonjë, çfarë të të them unë ty. Merrni, silleni rezolutën ta votoni. Të votoni një ndjesë publike për sanksionet që i vutë Kosovës të parët në Europë. Të votoni një ndjesë publike për ndalimin që i bëtë himnit për Adem Jasharin “Mora fjalë”, dhe u fsheh pastaj se zëvendësuan me një këngë shumë të bukur, nuk e mohoj, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, për Shqipërinë, por nuk zëvendësohej, se ajo e zuri vendin”, u shpreh Berisha.
/a.f/r.e/
