Agjencia Telegrafike Shqiptare

KIEV – Ukraina pretendon vrasjen e gjeneralit rus

KIEV/MOSKË, 17 dhjetor /ATSH-DPA/ – Agjencia e brendshme sekrete e Ukrainës, SBU pretendoi jozyrtarisht se qëndronte pas vrasjes së sotme të gjeneralit të lartë rus, Igor Kirillov në Moskë.

”Kirillov dhe adjutanti i tij u vranë kur një pajisje shpërthyese shpërtheu në një skuter elektrik, ndërsa Kirillov doli nga shtëpia e tij në mëngjes për të shkuar në punë”, sipas Komitetit Hetues të Rusisë.

Fotot tregojnë se hyrja e godinës ku ndodhi shpërthimi është dëmtuar rëndë.

Kryehetuesi rus, Alexander Bastrykin mori përsipër rastin, i cili është klasifikuar nga Moska si një sulm terrorist.

Sipas medias ruse, mjeti shpërthyes dyshohet se është shpërthyer nga një sinjal i telefonit celular.

Ata raportuan se komunikimet celulare në lagje po kontrolloheshin.

Interfax-Ukraine dhe agjenci të tjera njëzëri raportuan përfshirjen e SBU-së, duke cituar burime të shërbimit sekret.

“Kirillov ishte një kriminel lufte dhe një objektiv absolutisht legjitim, sepse ai urdhëroi përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase”, thuhet në raporte që citojnë burimet e SBU-së.

Ndërsa konfirmimi nuk ishte zyrtar, autoritetet ukrainase shpesh lëshojnë informacione në këtë mënyrë.

Kirillov ishte kreu i Trupave të Mbrojtjes Radiologjike, Kimike dhe Biologjike të vendit (NBC), përgjegjës për mbrojtjen kundër kërcënimeve nga armët bërthamore, kimike dhe biologjike.

54-vjeçari u shfaq shpesh publikisht gjatë luftës ruse kundër Ukrainës, duke akuzuar se Shtetet e Bashkuara po operonin një biolaborator të fshehtë në vendin fqinj.

Për më tepër, Kirillov, i cili konsiderohej si një nga luftënxitësit më të rëndësishëm në Rusi dhe është në listat e sanksioneve perëndimore, pretendoi se Ukraina po punonte për një të ashtuquajtur ”bombë të pistë”.

”Bombat e pista” janë armë të shkatërrimit në masë që kombinojnë eksplozivët konvencionalë me materiale radioaktive.

Akuza të tilla kundër Ukrainës i kishte bërë edhe presidenti rus Vladimir Putin bazuar në raportet e paraqitura publikisht nga Kirillov.

Nuk ka pasur prova për këto pretendime./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version