Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonzato: Hapja e negociatave për grup-kapitullin 6, hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Shqipëria hapi sot negociatat me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin 6, teksa në Bruksel u mbajt Konferenca e Tretë Ndërqeveritare.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato uroi Shqipërinë për këtë arritje të rëndësishme.

“Një tjetër arritje e rëndësishme! Urime Shqipërisë për hapjen e negociatave për grup-kapitullin 6 – kapitujt për marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e jashtme”, tha Gonzato.

Kjo, shtoi Gonzato, “shënon një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe një njohje të përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”.

“Inkurajojmë Shqipërinë të ruajë angazhimin dhe vendosmërinë e saj në avancimin e reformave të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë🇦🇱 në këtë rrugëtim sfidues”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version