Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonzato: Fuqizimi i grave dhe rruga drejt BE, procese jetike për Shqipërinë

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, foli sot në një takim me gratë se angazhimi për barazinë gjinore dhe fuqizimi i tyre në rolet vendimmarrëse janë procese jetike për vendin dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“BE mbetet e vendosur në angazhimin e saj për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave si shtylla të rëndësishme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sigurimi i mundësive të barabarta për gratë, veçanërisht në politikë dhe vendimmarrje, është thelbësor për përparimin dhe prosperitetin e vendit dhe për një shoqëri kohezive ku gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë në të gjithë diversitetin e tyre mund të përmbushin aspiratat e tyre”, u shpreh ai.

Sipas ambasadorit Gonzato, “fuqizimi i grave dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, jo vetëm që janë të ndërlidhura, por janë jetike për progresin, stabilitetin dhe prosperitetin e ardhshëm të Shqipërisë. Arsimi, kujdesi shëndetësor dhe pjesëmarrja politike janë vetëm disa fusha ku përfshirja e grave mund të bëjë një ndryshim transformues”.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version