TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë për mediet, se refuzon çdo bashkëpunim me personat e sanksionuar “non grata”.
Sipas tij, për Berishën këto sanksione nuk janë diçka e re, po vazhdim i qëndrimeve të mëparshme të SHBA karshi ish-kryeministrit Berisha.
“Nuk ka asgjë të re. Ka të re vetëm për ata që vazhdojnë të manipulojnë, ose përpiqen të manipulojnë militantët për t’i mbajtur pas vetes, ndërkohë që vetë Berisha e ka shprehur qartë se çfarë dëshiron të arrijë në këto zgjedhje. Kur ka hequr çdo shpresë për fitore, të paktën ka qenë i sinqertë kur ka thënë që “është ‘makbethiane’ të fitosh me Edi Ramën”, dhe kur ka vendosur të kthehet në mburojën e Edi Ramës. Pra, për çdo demokrat që ka pasur ndonjë fije shpresë apo ka mbajtur veten me gajret se me të vërtetë ato që deklaroheshin nga Berisha do të bëheshin të vërteta. Kjo shpresë nuk ekziston më! Dhe kjo deklaratë e SHBA nuk është më asgjë tjetër vetëm vijim i qëndrimeve. Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që përveç problemeve të hapura me SHBA, Berisha sapo ka mbyllur me bilanc negativ me veten e vet edhe gjyqin në Britaninë e Madhe. Pra, kjo strategji e mbajtjes në fokus të problematikës personale me shpresën se kjo do të zgjidhet, nuk është gjë tjetër veçse një efekt anësor i strategjisë që ai ka zgjedhur”, tha Basha.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, “i gjithë qëndrimi i Berishës është një strategji për të nënshtruar sa më shumë demokratë dhe opozitarë, interesave të tij personale, kauzës së tij personale. Kjo është tragjedia jo vetëm e opozitës, të PD, demokratëve dhe vendit sot”, u shpreh Basha.
/r.e/
