Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sejko: Në 2024 u rritën të ardhurat dhe punësimi, 2025-a pritet të jetë po ashtu pozitive

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me publicistë, analistë, gazetarë të njohur dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Sejko vuri në dukje se zhvillimet e reja teknologjike dhe pasiguritë globale e bëjnë komunikimin e bankave qendrore me publikun edhe më të rëndësishëm.

“Për Shqipërinë, ky komunikim merr më shumë vlerë, në kushtet kur individët sfidohen nga niveli jo i kënaqshëm i kulturës financiare, veçanërisht asaj digjitale. Megjithatë, në sajë të punës dhe bashkëpunimit të ngushtë me ju, ne ia kemi arritur qëllimit të përçojmë drejt publikut qëndrimin dhe pasojat e pritshme të çdo politike të ndërmarrë, duke pasqyruar të vërtetën dhe eliminuar çdo keqinterpretim apo devijim prej saj”, u shpreh Sejko.

Sipas tij, duke qenë se ky është edhe takimi ynë përmbyllës për këtë vit, dëshiroj të ndalem shkurtimisht në disa nga arritjet tona më të fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohemi.

“Të dhënat më të fundit të vitit 2024 mbi zhvillimet makroekonomike në vend tregojnë që ecuria pozitive e ekonomisë, e shoqëruar me rritje të punësimit dhe të të ardhurave, kanë sjellë më shumë të ardhura për biznesin dhe familjet, të cilat janë pasqyruar në rritje të shpenzimeve të familjeve dhe të investimeve të bizneseve”, tha Sejko.

Ai shto se “paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie të shpejtë, duke u rikuperuar plotësisht nga goditja që pësoi për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe arriti në nivelin 2% në nëntor të vitit 2024. Ky rikthim i stabilitetit të çmimeve është shoqëruar me lehtësim të kostove të jetesës së familjeve dhe rritje të investimeve të bizneseve. Gjithashtu, presionet e përgjithshme inflacioniste janë reduktuar, të ndihmuara nga faktorë si: rënia e inflacionit në partnerët tregtarë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë dy viteve të fundit”.

Sejko solli në vëmendje dhe integrimin në SEPA, si mjaft të rëndësishëm.

“Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka bërë progres të rëndësishëm në dy nisma kyçe në fushën e pagesave dhe asaj të mbikëqyrjes bankare: anëtarësimi në SEPA, më 21 nëntor 2024, dhe avancimi i bankingut të hapur. Integrimi në SEPA do të lehtësojë kryerjen e transfertave financiare ndërkufitare me vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë ato më të shpejta dhe me kosto më të ulët – një hap i rëndësishëm ky drejt integrimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve për bizneset dhe konsumatorët. Gjithashtu, në linjë me rregulloret e BE-së, Banka e Shqipërisë ka avancuar në implementimin e bankingut të hapur, duke nxitur përdorimin e platformave digjitale, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur për klientët dhe bizneset. Bankingu i hapur do të mundësojë akses më të gjerë dhe transparent në shërbimet financiare për të gjithë popullsinë. Ky zhvillim është pjesë një strategjie më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës financiare dhe digjitalizimin e ekonomisë”, vijon Sejko.

“Të dyja nismat synojnë të përmirësojnë përfshirjen financiare, duke shërbyer drejtpërdrejt në reduktimin e nivelit të informalitetit dhe si rrjedhojë, duke mbështetur rritjen e qëndrueshme afatgjatë”, tha Sejko.

“Në lidhje me të ardhmen, parashikimet tona mbeten pozitive, mbështetur kryesisht nga zhvillimet pozitive në terma të rritjes së aktivitetit ekonomik. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe mjedisi financiar i karakterizuar nga likuiditet i bollshëm, nivele relativisht të ulëta e të qëndrueshme të normave të interesit dhe prime të kontrolluara rreziku, duke shndërruar kredinë bankare në një burim të rëndësishëm dhe të besueshëm financimi për ekonominë shqiptare. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e vëmendshme për të reaguar në kohë dhe në masën e duhur ndaj zhvillimeve ekonomike edhe financiare”, nënvizoi Sejko.

Në vijim të aktivitetit, siç është traditë, u vlerësuan edhe tre fituesit e “Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2024”, një konkurs që organizohet prej 18 vjetësh nga Banka e Shqipërisë dhe i fton studentët shqiptarë kudo në botë të prezantojnë punimet e tyre në fushën e ekonomisë dhe financës.

Këtë vit në të morën pjesë 24 studentë të niveleve të ndryshme studimore. Temat e paraqitura trajtonin objektivat dhe politikat tradicionale të bankave qendrore. Njëkohësisht shumë prej tyre ishin fokusuar te çështjet që kanë dominuar aktivitetin e BSH-së gjatë vitit 2024, pa lënë mënjanë problematika që lidhen me ndryshimet klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të popullatës dhe sistemet e pagesave.

Viti 2025 do të jetë një vit jubilar, pasi shënon 100-vjetorin e bankës qendrore. Duke i paraprirë këtij përvjetori, disa nga temat ishin fokusuar në fushën e kërkimit historik, duke analizuar karakterin dhe evoluimin e marrëveshjeve tregtare, si dhe të zhvillimeve monetare e financiare.

“E them me kënaqësi se temat përputhen me pritshmëritë tona dhe përmbushin karakteristikat më të mira të një pune shkencore”, u shpreh ai.

Me çmimin e parë u vlerësua Markelian Blacëri, student në nivelin Master në Universitetin e Padovës, Departamenti i Ekonomiksit dhe Administrimit “Marco Fanno”, me temën e diplomës: “ Hijet Afatgjata të Politikës Monetare: A Mund të Ndikojnë Goditjet e Politikës në Normën Natyrore të Papunësisë?”.

Kjo temë fokusohet në vlerësimin e ndikimit të politikës monetare mbi normën natyrore të papunësisë, duke analizuar dy lloje specifike goditjesh: së pari, goditjet tradicionale të politikës monetare dhe së dyti, ndryshimet në informacionin lidhur me qëndrimin e politikës monetare, të njohura ndryshe si “orientimi i bankës qendrore për të ardhmen e politikës monetare”. Për të shqyrtuar këto efekte, autori përdor një qasje të kombinuar të modeleve empirike. Në fazën e parë zbatohet një model standard “Local Projection”, i pasuruar me metodologji Bayesiane. Së dyti, aplikohet një specifikim alternativ i modelit empirik, bazuar në metodologjinë SVAR (vektorët autoregresivë strukturorë).

Me çmimin e dytë u vlerësua Endri Deda, student në Universitetin e Parisit Dauphine-PSL, për temën “The Effect of Deep Trade Agreements on FDI flows”. Ky studim ka për qëllim të vlerësojë empirikisht efektet e marrëveshjeve të thelluara tregtare dhe dispozitave të investimeve mbi FDI-në, duke analizuar drejtimin dhe madhësinë e këtyre efekteve. Modeli empirik bazohet në modelin gravitacional të tregtisë, i cili është zgjeruar me një variabël specifik që përfaqëson marrëveshjet e thelluara tregtare. Analiza është realizuar duke përdorur bazën e të dhënave “MREID” dhe Bankën Botërore për periudhën 2010-2021, për të vlerësuar ndikimin ekonomik të këtyre marrëveshjeve në nivel global.

Me çmimin e tretë u vlerësua Eneda Gjoka, studente në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për temën “Përdorimi i Machine Learning për parashikimin e inflacionit në tendencat ekonomike”. Kjo tezë trajton përdorimin e teknikave të avancuara të Machine Learning (ML) për parashikimin e normave të inflacionit në Shqipëri, duke synuar përmirësimin e saktësisë së parashikimeve dhe ofrimin e njohurive të vlefshme mbi tendencat ekonomike. Modelet tradicionale ekonomike shpesh hasin sfida në parashikimin e normave të inflacionit për shkak të kompleksitetit të ndërveprimeve midis politikës monetare, dinamikës së ofertës dhe kërkesës, si dhe ndikimeve nga ngjarjet financiare globale. Në këtë studim, eksplorohen teknika të ML, si analiza e serive kohore dhe rrjetet neurale të avancuara të tipit LSTM, për të identifikuar modele dhe për të parashikuar më saktë normat e inflacionit. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version