Agjencia Telegrafike Shqiptare

Alimehmeti: Buxheti i Tiranës për vitin 2025 s’ka në fokus nevojat e qytetarëve

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Drejtuesi i këshillit bashkiak të Tiranës për Partinë Demokratike, Ilir Alimehmeti në diskutimin e hapur mbi buxhetin e vitit 2025 për kryeqytetin, tha se ai “është një buxhet me karakter të fortë elektoral”.

“Mjaftojnë tre zëra të shpejtë për ta kuptuar: Investimet kapitale do të kenë një rritje minimale prej 4,2% në vitin 2025, vit zgjedhor, ndërsa në vitin 2026 do të bien direkt me 36,7% dhe rënia do të jetë edhe më e madhe në vitin 2027, kur do të shkojë minus 43,7%. Shpenzimet operative do të rriten me 35,.2% në vitin 2025, pastaj do të bien me minus 17,1% në vitin 2026 dhe me minus 18,3% në vitin 2027. Shpenzimet e personelit do të rriten me 13,3% në vitin 2025 dhe do të mbeten të palëvizura në këto shifra abuzive edhe përgjatë viteve 2026 dhe 2027”, tha Alimehmeti.

Alimehmeti tha se amendamentet që mund të këshillohen nga Partia Demokratike edhe nuk mund të pranohen nga kryebashkiaku Erion Veliaj, pasi nuk ka vizionin dhe fokusin për nevojat e qytetarëve dhe të qytetit.

“Dikush prej jush mund të thotë se amendamentet që do të këshillohen nga Partia Demokratike nuk do të pranohen të integrohen në Buxhetin e 2025-ës. Keni të drejtë! Sepse Erion Veliaj dhe drejtorët e tij, të vendosur nga Partia Socialiste, e të mbështetur nga parti aleate të tyre si PSD-ja dhe PDIU-ja, nuk kanë në vizionin dhe fokusin e tyre nevojat e qytetarëve dhe të qytetit, por vetëm nevojat e xhepave të tyre dhe të mandatarëve të tyre”, tha Alimehmeti.

Duke u ndalur tek Veliaj, Alimehmeti tha se kryebashkiaku i Tiranës “është në qendër të vëmendjes negative politike, mediatike dhe gjyqësore, si rrjedhojë fillimisht e grykësisë dhe arrogancës së tij, por patjetër edhe si rrjedhojë e aksionit opozitar të parreshtur kundër vjedhjes së qytetit tonë, kryeqytetit të Shqipërisë”.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version