Agjencia Telegrafike Shqiptare

Unaza e Madhe, IKMT: Sot, shpërthim i kontrolluar i urës së Babroit

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Në kuadër të realizimit të projekteve për interes publik, si “Unaza e Madhe” dhe “Ndërtimi i rrugëve kryesore të zonës për zhvillim, njësia administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji” (Faza 3), Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me grupin e ekspertëve të xhenios ka planifikuar sot, në orën 14:00 demolimin e urës ekzistuese (ura e Babroit).

Gjatë procesit të shkatërrimit të kontrolluar do të ketë masa strikte sigurie dhe do të ndalohen kalimet këmbësorëve dhe mjeteve afër urës për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Me qëllim realizimin e punimeve të demolimit të urës, IKMT njofton të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës se, për arsye sigurie, do të ndërpritet qarkullimi i këmbësorëve dhe mjeteve në këtë pjesë.

Sipas njoftimit të IKMT-së, do të ndalohet kalimi në afërsi të urës për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Për çdo qytetar që ka nevojë për kalim në këtë zonë, mund të përdorë rrugët alternative. I gjithë ky proces është i nevojshëm për të siguruar një infrastrukturë të re dhe më të qëndrueshme, duke garantuar sigurinë e lëvizjes në të ardhmen.

Autoritetet lokale dhe shërbimet e sigurisë do të jenë të pranishme në terren për t’u siguruar që të respektohen rregullat dhe për të udhëzuar qytetarët për çdo ndryshim në planin e qarkullimit.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version