Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria hap grup-kapitullin e negociatave “Marrëdhëniet me jashtë”, më 17 dhjetor Konferenca e Tretë Ndërqeveritare

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Shqipëria do të hapë më 17 dhjetor negociatat me BE-në për grup-kapitullin 6: Marrëdhëniet e jashtme.

Presidenca Hungareze e Këshillit Evropian bëri të ditur sot se është miratuar nisja e negociatave me Shqipërinë për grup-kapitullin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor.

“Ambasadorët kanë miratuar gjithashtu qëndrimin e përbashkët të BE-së për grupin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor. Konferenca Ndërqeveritare e Javës së ardhshme do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, duke i bërë jehonë angazhimit të BE-së për të përshpejtuar procesin e pranimit me vendet kandidate”, thuhet në një reagim në platformën “X”, të Presidencës Hungareze.

Grup-kapitulli përmban dy kapituj: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme dhe
Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.

BE ka hapur tashmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë për Klasterin 1: Bazat.

Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të “Themelorëve”, më 15 tetor që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Zhvillimi i Konferencës Ndërqeveritare në 17 dhjetor pritet të shënojë tjetër moment vendimtar për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version