Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ngjarja në Dobraç, Hoxha: Shumë shpejt policia do të dalë me deklaratë

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaroi këtë të premte nga qyteti i Korçës se Policia e Shtetit shumë shpejt do të dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me masakrën në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën katër persona gjatë një atentati, mes tyre edhe dy të pafajshëm.

Hoxha tha se Policia e Shtetit pritet të ketë së shpejti një deklaratë për media, ku do të japë detajet nga ngjarja e ndodhur dhe personat përgjegjës.

“Policia do të dalë së shpejti me një deklaratë për shtyp,” tha ministri Hoxha në fjalën e tij.

Ministri tha se emrat e implikuar në ngjarjen e Dobraçit do të publikohen në deklaratën që do të japë policia.

“Kemi pasur raste dhe ngjarje kriminale me pasojë vdekjen. Policia, në bashkëpunim me prokurorinë e SPAK, po heton këto ngjarje. Dje, në Shkodër, u zhvilluan kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të implikuar në ngjarje të rënda kriminale. Për emrat duhet të presim deklaratat shumë shpejt, edhe për emrat e implikuar në ngjarjen e Dobraçit,” u shpreh ministri. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version