Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fondet e investimit, vlera e aseteve rritje 11,03%

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Tregu i fondeve të investimit njohu sërish rritje përgjatë tremujorit të tretë të vitit.

Vlera neto e aseteve të tregut, arriti rreth 55,83 miliardë lekë, me një rritje prej 5,5 miliardë lekë, ose 11,03%, krahasuar me 31.12.2023.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), numri i investitorëve që kanë investuar në tregun SIK gjatë periudhës 30.09.2024 është 36001 me një rritje prej 11,03% krahasuar me 31.12.2023

Vlera e aseteve neto për fondet e investimit, duke përjashtuar fondet alternative arriti vlerën 51 miliardë lekë, me një rritje prej 12,39% krahasuar me 31.12.2023.

Tregu i fondeve të investimeve me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike, u dominua kryesisht nga investimet në tituj qeveritarë (bono thesari dhe obligacione), të cilat përbëjnë 83,37% dhe ndërkohë 6,01% janë investime në tregjet financiare ndërkombëtare.

Në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive (SIK), operuan 6 shoqëri administruese të licencuara nga AMF, nga të cilat 4 janë me kapital vendas dhe 2 janë me kapital të huaj. Numri i fondeve të investimit më 30.09.2024 arriti në 17, nga të cilat 3 janë fonde investimi alternative.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version