Agjencia Telegrafike Shqiptare

BRUKSEL – Rutte: Aleanca duhet të rrisë prodhimin dhe shpenzimet e mbrojtjes

BRUKSEL, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte i bëri thirrje sot aleancës të rrisë prodhimin dhe shpenzimet e mbrojtjes gjatë një fjalimi në një aktivitet për investimet ushtarake në Bruksel.

Aleatët e NATO-s duhet të investojnë të paktën 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) në mbrojtje, por anëtarët evropianë dhe Kanadaja shpesh kanë dështuar në të kaluarën për të arritur këtë prag.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar shpesh aleatët që nuk kanë investuar mjaftueshëm, një çështje që është nxitur veçanërisht gjatë mandatit të parë të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Rutte tha se ekonomia ruse është në një “bazë lufte”, duke vënë në dukje se në vitin 2025, shpenzimet totale ushtarake do të ishin 7%-8% e PBB-së së vendit – niveli më i lartë që nga Lufta e Ftohtë.

Ndërsa vuri në dukje se shpenzimet e mbrojtjes ishin rritur krahasuar me 10 vjet më parë, kur NATO-ja për herë të parë ndërmori nismën për të rritur investimet pas aneksimit rus të Krimesë – Rutte tha se aleatët ende shpenzonin më pak se sa gjatë Luftës së Ftohtë.

“Kjo, pavarësisht se rreziqet me të cilat përballet NATO janë po aq të mëdha, nëse jo më të mëdha”, tha Rutte.

Zyrtari i lartë i NATO-s tha se niveli aktual prej 2% të PBB-së nuk ishte aq afër sa duhej.

Rutte tha se gjatë Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, evropianët shpenzuan më shumë se 3% të PBB-së së tyre për mbrojtjen – megjithatë ai nuk pranoi ta propozonte këtë shifër si një objektiv të ri.

Ai theksoi shpenzimet aktuale të qeverisë evropiane për pensionet, sistemet shëndetësore dhe shërbimet e mirëqenies sociale – si një burim financimi të mundshëm.

“Ne kemi nevojë për një pjesë të vogël të atyre parave për të forcuar mbrojtjen tonë dhe për të ruajtur mënyrën tonë të jetesës”, tha Rutte. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version