Agjencia Telegrafike Shqiptare

Malaj: Sektori privat të reflektojë të njëjtin trend si sektori publik për nivelin e pagave

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj në një konferencë me gazetarët, u shpreh sot në lidhje me hendekun e pagave mes sektorit privat dhe atij publik dhe aksionin që ka ndërmarrë qeveria në drejtim të informalitetit. Ministri si fillim, tha se përcaktimi i nivelit të pagave në sektorin privat rregullohet me Kodin e Punës dhe është çështje politikash që ndjekin punëdhënësit.

“Sa i përket informalitetit ne jemi në një proces që po ndiqet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, më duhet të them që të gjitha bizneset private kanë reaguar pozitivisht në drejtim të njoftimeve që ka lëshuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Së shpejti, do të kemi disa rezultate konkrete dhe unë besoj se presioni pozitiv që po bën qeveria në aspektin e rritjes së pagave në sektorin publik, sikundër dhe lufta kundër informalitetit do të japin një rezultat pozitiv për sektorin privat. Sektori privat duhet të reflektojë të njëjtin trend që po ndjek sektori publik, nëse do të mbetet konkurrues në ekonominë shqiptare”, theksoi ai.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version