Agjencia Telegrafike Shqiptare

UASHINGTON – SHBA ofron 20 miliardë dollarë hua për Ukrainën nga fitimet e aseteve ruse

UASHINGTON, 10 dhjetor /ATSH-AFP/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot se kanë disbursuar një hua prej 20 miliardë dollarësh për Ukrainën – e siguruar nga interesi i fituar në asetet e ngrira ruse – si pjesë e një pakete mbështetjeje prej 50 miliardë dollarësh të G7-ës.

Kjo përbën një pjesë të konsiderueshme të 50 miliardë dollarëve në kreditë e reja të finalizuara nga Grupi i Shtatë ekonomive të përparuara në tetor, që synojnë të ndihmojnë Kievin të mbështesë vendin ndërsa lufton kundër pushtimit të vazhdueshëm të Moskës.

Ndihma, gjithashtu vjen në një kohë kur administrata e presidentit Joe Biden pritet të largohet dhe e ardhmja e mbështetjes së Uashingtonit për Kievin mbetet në dyshim.

“Këto fonde – të siguruara nga të ardhurat e fituara nga asetet e ngrira ruse – do t’i ofrojnë Ukrainës një infuzion kritik të mbështetjes ndërsa ajo mbron vendin e saj kundër një lufte të paprovokuar agresioni”, tha sekretarja e Thesarit, Janet Yellen në një deklaratë duke njoftuar vendimin.

“Huatë e G7 do të ndihmojnë që Ukraina të ketë burimet që i nevojiten për të mbështetur shërbimet e urgjencës, spitalet dhe themelet e tjera të rezistencës së saj të guximshme”, tha Yellen, duke shtuar se mbështetja e Uashingtonit do të ndihmonte Kievin të mbronte sovranitetin e tij dhe të arrinte një paqe të drejtë. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version