TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj foli sot në konferencën “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, ku fokusi i diskutimeve u vendos te digjitalizimi dhe sfidat e përbashkëta në këtë sektor.
“Në këtë konferencë rajonale, shqiptarët përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke dëshmuar për praninë tonë jo vetëm historike, por edhe bashkëkohore si kontribues aktivë për të ardhmen tonë të përbashkët. GovTech, një fjalë që tingëllonte futuristike vetëm pak kohë më parë, na ka mbledhur sot për atë që tashmë është një realitet, për të diskutuar se cilat janë vizionet tona për të ardhmen, për të vendosur se çfarë mund të bëjmë bashkë, për të ndërtuar ura lidhëse përtej fjalëve dhe kufijve dhe përtej rutinës së përditshme. Nuk është një fjalë magjike që e bën një qeveri të duket moderne, por flasim për një ndryshim rrënjësor që e bën një qeveri të duket e vërtetë në mënyrën se si qeveritë mendojnë dhe veprojnë, për lidhjen e qytetarëve me institucionet, të të dhënave, vendimmarrjen, teknlogjinë dhe digjitalizimin, me përgjegjshmërinë.
Teknologjia nuk është një mjet që provon nëse dikush e ka sistemin më modern apo më pak modern, është për t’i bërë gjërat të thjeshta për qytetarin, për të rinjtë që duan një të ardhme më të mirë, për bizneset të cilat duan efikasitet. Për qeverinë, falë digjitalizimit, mund të japin atë që kanë premtuar”, tha ajo.
Drejtoresha e AKSHI-t u shpreh se platformat elektronike i kanë ndihmuar qytetarët dhe bizneset që të marrin më shumë shërbime në kohë reale.
“Pak vite më parë askush nuk do e kishte kuptuar se qytetari do të fliste me një gjuhë të kuptueshme me kompjuterin për të marrë të gjitha shërbimet publike, apo që Inteligjenca Artificiale mund të përdoret për të marrë të dhëna për fiskalizimin, në mënyrë që të identifikonte transaksionet e dyshimta apo që do të përshpejtonte integrimin e një vendi në Bashkimin Evropian, siç është rasti konkret i Shqipërisë. Këto janë vetëm disa nga projektet që bën qeveria shqiptare në drejtim të digjitalizimit. Në dhjetorin e vitit të kaluar lançuam asistentin virtual 1.0 të e-Albania-s. Janë 1 milion transaksione të qytetarëve dhe bizneseve me këtë asistent. Për Krishtlindje do të kemi versionin 2.0 të këtij asistenti, i cili do të vijë me zë dhe me figurë, ndërkohë që vitin tjetër do të kemi versionin 3.0 që do të japë për qytetarët dhe bizneset direkt shërbime proaktive. Dy miliardë transaksione të fiskalizimit janë analizuar me inteligjencën artificiale. Kemi gati modulin e integrimit, që do të bëjë të mundur transfuzimin e të gjitha direktivave dhe rregulloreve të BE-së. 3.2 milionë përdorues në platformën e-Albania, janë dhënë 45 milionë shërbime elektronike, 38 milionë dokumente me vulë elektronike, 18 milionë euro të kursyera nga xhepat e qytetarëve dhe bizneseve. 1200 vite pritje, radhë të kursyera, por edhe 73 milionë lekë letër, apo nëntë mijë drurë që nuk janë prerë”, theksoi Karçanaj.
Ajo shtoi se një tjetër projekt shumë ambicioz do të vazhdohet me Bankën Botërore dhe që është krijimi i prokurimeve digjitale, që do të ketë në zemër të tij Inteligjencën Artificiale dhe machine learning, duke sjellë transparencë të plotë.
“Mbështetja do të vazhdojë edhe për shërbimet e bashkive, duke sjellë transformim në mënyrën si u shërbejnë qytetarëve. Rajoni ynë ka nevojë urgjente për projekte të përbashkëta dhe për shkëmbim të përvojave më të mira. Po punojmë për një projekt të rëndësishëm, digital wallet që është pjesë e axhendës së rritjes”, tha Karçanaj.
/r.e/a.f/
