Agjencia Telegrafike Shqiptare

Terras dënon sulmin në veri: Kriminelët të dalin para drejtësisë

PRISHTINE, 9 dhjetor/ATSH/ Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras dënoi sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në veri, derisa theksoi se të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë.

Anëtari i Parlamentit Evropian, në konferencën për media të hënën në Prishtinë, paralajmëroi se gjatë qëndrimit në Kosovë do të vizitojë edhe veriun e vendit.

Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.

Sulmi është dënuar prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorportata Energjetike e Kosovës. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version