Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – Zelensky takohet me Trump në Paris ndërsa Rusia përparon në Ukrainën lindore

KIEV, 8 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u takua dje me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të avancojnë në Ukrainën lindore.

Zelensky tha se bisedimet në Pallatin Élysée – përpara ceremonisë që shënonte rihapjen e Katedrales Notre Dame – ishin “të mira dhe produktive”.

“Presidenti Trump është, si gjithmonë, i vendosur. Unë e falënderoj atë për këtë”, postoi Zelensky në X.

“Të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Paqja përmes forcës është e mundur”, tha ai.

Trump – vizitoi Francën në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit – që nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

Ekziston një frikë e madhe në Ukrainë se Trump mund të reduktojë në mënyrë drastike ndihmën ushtarake të SHBA-së për vendin, i cili ka mbrojtur veten kundër pushtimit rus në shkallë të plotë – për gati tre vjet dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se do ta humbiste luftën – nëse aleatët ndalonin ndihmën ushtarake.

Forcat ruse avancojnë në Ukrainën lindore

Gjithashtu, Ministria Britanike e Mbrojtjes tha dje se forcat ruse kishin bërë një progres gradual përgjatë frontit në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, duke u afruar 7 kilometra në qytetin, Pokrovsk.

Në përditësimin e fundit të shërbimeve sekrete mbi luftën, ministria tha se njësitë ruse kishin marrë nën kontroll qytetin, Selydove që shtrihet në juglindje të Pokrovskit.

Ministria britanike shtoi se forcat ruse kishte të ngjarë të luftonin në qendër të Kurakhoves, një qytet më në jug.

“Kurakhove formon një seksion të rëndësishëm të vijës së frontit dhe kapja e ketij qyteti – do t’u mundësonte forcave ruse të konsolidonin pozicionet në zonë – dhe të vendosnin kushte për avancime të mëtejshme drejt perëndimit”, tha ministria.

“Në jugperëndim të Pokrovskit, forcat ukrainase thuhet se kanë kryer një kundërsulm të kufizuar pranë Velyka Novosilka – duke rimarrë fshatin Novyy Komar nga rusët”, tha ministria.

“Përpjekjet ruse për të rrethuar fshatin po vazhdojnë. Forcat ruse kanë marrë së fundmi fshatin Blahodatne në jug të Velyka Novosilka”, shtoi ministria.

Numri i të vdekurve në Zaporizhia rritet në 10

Shërbimet e urgjencës ukrainase thanë se numri i të vdekurve nga një sulm rus me bombë në qytetin juglindor të Zaporizhias është rritur në 10.

“Tetë persona vdiqën në makinat e tyre, ndërsa 24 të tjerë u plagosën, duke përfshirë tre fëmijë”, thanë ata.

Presidenti Zelensky më parë postoi në X se nëntë persona ishin vrarë në sulmin e së premtes.

Ekipi i shpëtimit nxorri gjithashtu një trup tjetër nga rrënojat e një ndërtese që ishte goditur nga një sulm me raketa të njëjtën ditë në qytetin juglindor të Kryvyi Rih, duke e çuar numrin e të vdekurve në tre. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version