Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: 394 takime dhe 14 mijë prindër pjesëmarrës në turin e konsultimeve për kufizimin e rrjeteve sociale

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Diskutimi për kufizimin e rrjeteve sociale, kryesisht TikTok, po vazhdon me prindërit në shkollat e vendit.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se vijojnë diskutimet në shkollat e Tiranës, Shkodrës, Lezhës, Mamurrasit, Malësisë së Madhe, Hasit, Vaut të Dejës, Kurbinit, Beratit, Dimalit, Poliçanit, Belshit, Cërrikut, Librazhdit, Peqinit, Përrenjasit, Gramshit, Tepelenës, Përmetit dhe Vlorës.

Rama tha se deri tani janë zhvilluar 394 takime me pjesëmarrjen e 14 mijë prindërve, në shkolla të ndryshme në vend, në kuadër të diskutimeve me fokus kufizimin e rrjeteve sociale, kryesisht TikTok.

Më herët sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi se gjatë diskutimeve, prindërit po kontribuojnë me ide dhe sugjerime për të adresuar sfidat që sjell teknologjia.

Ministrja Manastirliu është ndalur gjatë takimeve të ditëve të fundit te rëndësia e bashkëpunimit midis institucioneve, shkollave dhe prindërve për të garantuar një hapësirë digjitale të sigurt për të rinjtë dhe për të ndërtuar një kulturë të fortë të ndërgjegjësimit dhe sigurisë duke u ndalur te turi i konsultimeve që MAS ka nisur me komunitetet e prindërve në të gjithë Shqipërinë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version