TBILISI, 6 dhjetor /ATSH-DPA/ – Protestat shpërthyen sërish në Gjeorgji, pasi kryeministri Irakli Kobakhidze tha se vendi nuk do të ndjekë anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028, duke akuzuar Brukselin për “shantazh”.
Kobakhidze u zotua të vazhdojë reformat, duke thënë se “deri në vitin 2028, Gjeorgjia do të jetë më e përgatitur se çdo vend tjetër kandidat për të hapur bisedimet e pranimit me Brukselin dhe për t’u bërë një shtet anëtar në vitin 2030”.
Në përgjigje të njoftimit të Kobakhidze, pesë ambasadorët e Gjeorgjisë në Shtetet e Bashkuara, Itali, Holandë, Çeki dhe Bullgari, si dhe zëvendësministri i Jashtëm Teimuraz Dzhandzhalia, dhanë dorëheqjen në shenjë proteste.
Ish-vendi i pushtuar nga sovjetikët fitoi zyrtarisht statusin e kandidatit për në BE në dhjetor 2023.
Në korrik, BE ngriu procesin e pranimit të Gjeorgjisë derisa Tbilisi ndërmori hapa konkretë për të adresuar atë që Brukseli e quan kthim prapa demokratik.
Njoftimi i Kobakhidze erdhi vetëm disa orë pasi Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë jodetyruese që hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të Gjeorgjisë të 26 tetorit, duke përmendur “parregullsi të rëndësishme”.
Rezoluta kërkonte zgjedhje të reja brenda një viti nën mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të lartë gjeorgjianë, përfshirë Kobakhidze./ /os/
