Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vlerësimi ndërkombëtar TIMSS 2023, Rama: Rezultate inkurajuese për cilësinë e arsimit parauniversitar

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot një lajm shumë të mirë vlerësimin ndërkombëtar TIMSS 2023, ku Shqipëria renditet për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë.

Në fjalën e tij gjatë takimit këshillues në shkollën “Halit Coka” në Kamzë me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si TikTok, Rama theksoi se “kemi pasur edhe një lajm shumë të mirë, të një testimi ndërkombëtar që bëhet me vendet për të vlerësuar aftësitë në matematikë dhe në shkencë të nxënësve, ku Shqipëria për nxënësit që janë testuar që zgjidhen në mënyrë rastësore jo që kemi çuar ne atje, por zgjidhen në mënyrë rastësore nga organizata që kanë një besueshmëri shumë të lartë dhe që i referohen vendet, kanë bërë të mundur që Shqipëria të rritet shumë në klasifikimin e cilësisë së arsimit parauniversitar për matematikën dhe për shkencën”.

“Kjo është një e dhënë shumë inkurajuese për ne është një provë që gjërat që po bëjmë po sjellin përmirësim, është një provë që mësuesit i kemi më të motivuar dhe më të angazhuar dhe që nxënësit nuk janë për t’u parë si kriminal potencial”, tha Rama.

Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS 2023, duke përmirësuar rezultatet në Matematikë dhe Shkencë dhe duke u renditur për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë. Ky vlerësim, i cili përfshiu në vendin tonë 200 shkolla dhe 5143 nxënës të klasës së katërt, u zhvillua për herë të parë në format digjital (CBA). Shqipëria për herë të parë shënoi një rezultat prej 512 pikësh në Matematikë, ose 9 pikë mbi mesataren ndërkombëtare që është 503 pikë.

Nxënësit tanë e renditën Shqipërinë në vendin e 33-të nga 58 shtete dhe 5 ekonomi pjesëmarrëse, duke lënë pas vende si Kanadaja, Spanja, Belgjika, Franca, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, etj.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version