Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Perëndimi i konsideron deklaratat e Lavrovit në OSBE si një cunam dezinformimi

LA VALETA, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Diplomatët perëndimorë kritikuan komentet e bëra nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një takimi të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) në Maltë.

Lavrov, vizita e të cilit në Maltë ishte e para në një vend anëtar të BE-së që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, tha se ”Perëndimi kishte nxitur luftën në Ukrainë” dhe se ”është përgjegjës për shfaqjen e një Lufte të re të Ftohtë që mund të shndërrohet në konfrontim të drejtpërdrejtë”.

“E gjithë kjo mund të kthehet në një fazë të nxehtë”, shtoi Lavrov gjatë takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të OSBE-së, duke argumentuar se ”shtetet perëndimore kishin marrë kontrollin e OSBE-së”.

Homologu i tij amerikan, Antony Blinken i përshkroi deklaratat e Lavrov si një “cunami dezinformimi”.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha iu drejtua Lavrovit në fjalimin e tij si “krimineli i luftës në këtë tryezë pa i përmendur atë me emër”.

“Plani ynë i paqes është që Rusia duhet të largohet nga Ukraina dhe të na lërë të qetë”, theksoi Sybiha.

‘’Rusia është kërcënimi më i madh për sigurinë globale, jo vetëm për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës, por edhe për shkak të bashkëpunimit të saj ushtarak me Iranin dhe Korenë e Veriut’’, shtoi ai.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock akuzoi nga ana e saj Lavrovin për “gënjeshtra të padurueshme” në lidhje me luftën në Ukrainë.

“Ju mund të mashtroni veten, por nuk mund të na mashtroni ne, 1,3 miliardë njerëz në Perëndim”, i tha ajo Lavrovit drejtpërdrejtë gjatë takimit.

Në fjalën e saj Baerbock i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, dhe në veçanti vendeve anëtare të OSBE-së, që ‘’të vazhdojnë të punojnë drejt parimeve themelore të organizatës për paqen, lirinë dhe sigurinë, pavarësisht disa dallimeve në mendime’’.

OSBE-ja është një nga forumet e pakta të dialogut për sigurinë dhe demokracinë ku përfaqësuesit perëndimorë ende angazhohen drejtpërdrejt me Rusinë.

Ndërsa Moska u tërhoq nga disa institucione të tjera evropiane, ajo mbeti në OSBE, duke e parë atë si një platformë për të komunikuar qëndrimin e saj për luftën në Ukrainë te 57 shtetet anëtare./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version