PRISHTINË, 4 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel, është pritur në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, me ç’rast kanë disktuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës.
Në këtë takim, presidentja Vjosa Osmani e ka uruar atë për detyrën e re, duke shpresuar në vazhdimin e bashkëpunimit në interes të përbashkët.
Më tej thuhet se presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e plotë të Kosovës për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar për hetimin e aktit terrorist kundër infrastrukturës vitale në Kosovë, gjersa i ka falënderuar BE-në, SHBA-të si dhe shtetet e tjera të NATO-s, dhe përtej për solidaritetin e treguar dhe ndihmën e ofruar. Ajo potencoi se është shumë me rëndësi, që përveç hetimit, puna jonë e përbashkët të fokusohet edhe në parandalimin e sulmeve të reja.
Ajo shtoi se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e objektivave të saj të integrimit evropian, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE. Për më tepër, Presidentja nënvizoi se heqja e masave kufizuese do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar në vlerat dhe vizionin e përbashkët të Bashkimit Evropian, duke argumentuar sërish se ato janë të padrejta dhe se e dëmtojnë më së shumti popullin e Kosovës, por edhe vet parimin e balancit dhe paanshmërisë në dialogun Kosovë-Serbi. /KosovaPress/
