Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fuqizimi rajonal, AKSK mbledh mbi 50 hetues, prokurorë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës CyberSEE dhe CyberEast+, projektin Octopus dhe Policinë e Shtetit po organizojnë një aktivitet në Tiranë nga data 2 deri në 6 dhjetor 2024. Siguria kibernetike dhe fuqizimi rajonal në këtë fushë, janë fokusi i këtij angazhimi që ka përfshirë edhe disa hetues e prokurorë shqiptarë dhe të huaj.

Ekspertët e AKSK-së kanë ndërtuar infrastrukturën teknike të ushtrimeve, ndërkohë që shërbejnë si konsulentë gjatë gjithë procesit, duke mbështetur pjesëmarrësit në zgjidhjen e sfidave teknike dhe strategjike.

Ky event ka mbledhur mbi 50 hetues, prokurorë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit. Aktiviteti përfshin simulime reale të kërcënimeve kibernetike, duke ofruar mundësi të vlefshme për mësim praktik në OSINT, analizën e malware-it, forenzikën dixhitale dhe rikuperimin e të dhënave.

Kontributi i AKSK-së reflekton angazhimin e saj të vazhdueshëm për të përmirësuar kapacitetet rajonale në sigurinë kibernetike. Duke sjellë ekspertizë teknike dhe mbështetje strategjike, AKSK po ndihmon në ndërtimin e një bashkëpunimi më të ngushtë midis institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare për të adresuar sfidat në një mjedis digjital gjithnjë e më kompleks. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version