Agjencia Telegrafike Shqiptare

Çela takim me ambasadoren Kasnyik: Promovim turizmit shqiptar për shtetasit hungarezë

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Promovimi i turizmit shqiptar për shtetasit hungarezë ishte në qendër të bisedës së drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela dhe ambasadores së Hungarisë në Shqipëri, Martina Laura Kasnyik.

Gjatë takimit, Çela i paraqiti ambasadores Kasnyik vizionin e qeverisë shqiptare me në fokus turizmin gjithëvjetor deri në vitin 2030.

“Ky vizion do të shoqërohet me zhvillimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe ndërtimin e veprave të mëdha në shërbim të sektorit të turizmit, si porte dhe aeroporte”, tha Çela.

Nga ana e saj, ambasadorja e Hungarisë konfirmoi interesin në rritje të shtetasve hungarezë për të vizituar Shqipërinë jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe në stinën e dimrit.

Në shërbim të turistëve hungarezë, ndërkombëtare dhe lokalë, sot turizmi shqiptar ka vënë në dispozicion edhe Kalendarin Digjital të Eventeve, TEA.

Mbi 50 mijë shtetas hungarezë e kanë vizituar vendin tonë gjatë periudhës janar-tetor 2024, duke shënuar një rritje prej 16% krahasuar me një vit më parë.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version