Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shtatorja e Skënderbeut vendoset në qendër të Tuzit

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëri me dije se shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u vendos në Tuz të Malit të Zi.

Shtatorja e heroit kombëtar u vendos në sheshin qendror të komunës së Tuzit. Pas ndarjes së Tuzit nga Komuna e Podgoricës dhe krijimi i një komune të re, kuvendi i këtij qyteti njëzëri miratoi vendimin për ngritjen e shtatores së Skënderbeut.

Në ceremoninë që i parapriu vendosjes së shtatores, ishin të pranishëm qytetarë të Malit të Zi si dhe të ardhur nga hapësira mbarëshqiptare dhe diaspora e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kontribues financiarë kryesisht ishin anëtarë të shoqatave shqiptare të “Mërgatës së Malësisë” në SHBA. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version