TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu duke e cilësuar arsimin një prioritet kombëtar të qeverisë tha sot se “buxheti për arsimin rritet me 18,8%, ose 100 milionë euro krahasuar me një vit më parë”.
Në fjalën e saj në Kuvend, duke iu përgjigjur kërkesës së Partisë Demokratike për amendamentin për sektorin e arsimit, Manastirliu theksoi se “jemi të angazhuar për të përmirësuar cilësinë e tij dhe akuzat për emergjencë kombëtare janë akuza të cilat pa dyshim me papërgjegjshmërinë e atyre që vijnë në këtë podium që reklamojnë për kolaps dhe emergjencë”.
“Nga ana tjetër këto akuza nuk ndihmojnë as debatet konstruktive dhe as e ndihmojnë arsimin, përkundrazi jemi ne që inkurajojmë dialog, të bashkëpunojmë patjetër për arsimin”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “është kjo qeveri që ka dëshmuar se është e përkushtuar ndaj arsimit me fjalë dhe me vepra dhe ato që ne kemi premtuar në programet politike të PS-së që prej 2013 e deri më sot e kemi realizuar përmes veprimesh konkrete, sepse politika është art, nuk është fjalë dhe me forma të guximshme. Ju i mbani mend mirë reformat, të cilat duhet të thellohen dhe të vijojnë në kuadër të rritjes së cilësisë së arsimit”.
“Buxheti për arsimin rritet me 18,8%, ose 100 milionë euro krahasuar me një vit më parë, ku përfshihet jo vetëm rritja e pagave për mësuesit, për punonjësit socialë dhe psikologët, por edhe për oficerët e sigurisë të cilët sot marrin një pagë dinjitoze me ato të vendeve të rajonit”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “me buxhetin 2025 kemi vendosur të hapim kantiere të reja në shkolla duke vijuar investimet në më shumë se 40 kantiere të nisura në shkolla në të gjithë vendin dhe hapjen e investimeve të reja për bashkitë për të rritur dhe përmirësuar infrastrukturën arsimore dhe për të zgjeruar akseset që lidhen me infrastrukturën sportive”.
Më tej ministrja Manastirliu tha se “fola për arsimin parauniversitar. Janë më shumë se 2,8 miliardë lekë të cilat janë të vendosura për infrastrukturën arsimore, pjesë e mbështetjes buxhetore për programet dhe për programet jashtë orarit mësimor, sikurse është programi “Art dhe Zeje” që do të mbështetet nga buxheti i shtetit. Në këtë program do të shtohen edhe 100 shkolla, në mënyrë që të rinjtë t’i bëjmë pjesë të programeve jashtëshkollore”.
/k.s/r.e/
