TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Prokuroria e Shkodrës pas hetimeve të nisura në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, për dyshime të kryerjes së veprave penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në dëm të shtetasit A.F., ka arrestuar një shtetase dhe ka shpallur në kërkim vëllanë e saj.
Brenda një periudhe të shkurtër, A.F i kanë vendosur lëndë plasëse në biznesin dhe në shtëpinë e tij.
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera deri më tani, në drejtim të zbardhjes së ngjarjeve, Prokuroria njofton se në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës ka kryer arrestimin e shtetases L.P.
Sipas Prokurorisë kjo shtetase, dyshohet se ka bashkëpunuar me vëllanë e saj, B. P., si dhe me persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, me qëllimin për të shtrënguar me anë të kanosjes shtetasin A.F. për të përfituar padrejtësisht pasuri.
“Dyshimet e arsyeshme bazohen në provat e administruara deri më tani si rezultat i aplikimit edhe të metodave speciale të hetimit”, njofton Prokuroria.
Prokuroria bën të ditur se gjatë arrestimit të shtetases L.P., dhe nga kontrollet e ushtruara u gjendën sende të tjera të paligjshme si mjete të përdorura për kryerjen e veprave të mësipërme penale.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër bën me dije se janë duke u kryer veprimet të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të tjerë të kryerjes së veprës penale.
/a.f/r.e/
