Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përfshirja sociale, Rizzo: Prioritet, përafrimi me standardet e BE-së

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila është nesër, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kremtoi sot kontributet e individëve me aftësi të kufizuara, duke riafirmuar angazhimin e BE-së për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

“Nëpërmjet nismave tona si BE për Përfshirjen Sociale, ne fokusohemi në krijimin e mundësive, përmirësimin e aksesit dhe sigurimin që askush të mos mbetet pas”, thekson Delegacioni i BE në një reagim.

Shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, André Rizzo u shpreh se, “çdo ditë, ne jemi dëshmitarë të pengesave për jetën e pavarur për personat me aftësi të kufizuara, qoftë aksesi fizik në mjetet e transportit publik dhe ndërtesat, apo aksesi të kufizuar në informacion dhe shërbime që i pengojnë ata të gëzojnë të drejtat e tyre themelore”.

“Në kuadër e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, është thelbësore të jepet prioritet përafrimi me standardet e BE-së për përfshirjen sociale dhe mbrojtjen sociale për personat me aftësi të kufizuara. BE-ja është e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në këtë përpjekje”, tha ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version