Agjencia Telegrafike Shqiptare

LONDËR – BM premton ndihmë shtesë me vlerë 19 milionë paund për Rripin e Gazës

LONDËR, 2 dhjetor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe ka premtuar një financim me vlerë 19 milionë paund për Gazën – pasi situata në terren u cilësua “katastrofike”.

Ministrja britanike e Zhvillimit, Anneliese Dodds do të udhëtojë në Territoret e Pushtuara Palestineze dhe Izrael – si pjesë e një vizite treditore që fillon me një konferencë humanitare në Kajro.

“Financimi i ri e çon totalin e angazhuar të Britanisë së Madhe për Territoret e Pushtuara Palestineze në 99 milionë paund”, tha Zyra e Komonuelthit dhe Zhvillimit të Jashtëm, duke përfshirë 12 milionë paund për Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare dhe Programin Botëror të Ushqimit.

Dodds pritet të takohet me kryeministrin palestinez Mohammad Mustafa dhe të vizitojë një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor si pjesë e udhëtimit të saj – përpara se të niset në Izrael – ku do të mbajë takime me zyrtarë dhe do t’i bëjë thirrje Izraelit të sigurojë që ndihma mund të arrijë në Gazë.

“Situata në Gazë është katastrofike. Banorët kanë një nevojë të dëshpëruar për ushqim dhe strehim me fillimin e dimrit”, tha ajo.

“Konferenca e Kajros do të jetë një mundësi për të paraqitur zgjidhje të botës reale për krizën humanitare”, shtoi ajo.

“Britania e Madhe është e përkushtuar të mbështesë komunitetet më të cenueshme të rajonit, duke premtuar fonde shtesë për UNRWA – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt – dhe për të mbështetur reformat e Autoritetit Palestinez”, tha Dodds. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version