TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas lirimit nga “arresti i shtëpisë”, në një konferencë për mediet nga selia blu, foli edhe për SPAK, por edhe ankimimin e bërë në Strasburg.
“Ne ju drejtuam Strasburgut për masat që u morën në kundërshtim me Kushtetutën. Strasburgu na u përgjigj; neni 19 që është neni i procedurës së shpejtuar, nuk do të aplikohet në rastin tuaj. E dija këtë gjë, për Shqipërinë dhe Rusinë nuk e praktikojnë.
Por lanë një gjë të hapur. Shkrojtën që gjer në datën kaq, në këtë numër dosje mund të depozitoni dokumente. Lanë një dosje hapur dhe ne, avoketërit e mi kanë depozituar që nga ajo kohë, çdo dokument në këtë dosje. Tani cilën pjesë të dosjes do e shqyrtojnë nuk e di. Avoketërit e mi sepse kjo ka dalë para dy ditësh, avoketërit e mi e marrin këto dy ditë dosjen e Strasburgut, por ne në Strasburg kemi dërguar çdo etapë, pa përjashtim çdo etapë. Nuk besoj se Strasburgu për këtë masë të mos vazhdojë, unë mendoj se do të vazhdojë. Ka të gjitha materialet për çdo etapë, ka dërguar pyetjet e veta, i ka dërguar qeverisë dhe ne. Janë publike ato. Do ti marrin avoketërit e mi njëherë, pastaj do të marr vesh çfarë po ndodh”, tha Berisha.
Duke folur për SPAK, Berisha tha se kreu i saj Altin Dumani, fshihet pas Ymer Lalës.
“Njeriu që fsheh, ka në SPAK 5 prokurorë të bandës së Suel Çelës dhe ta dini një gjë ju. Në vitin 2015 unë u mora me këtë punë, pse nuk i kapin. Çfarë gjeta unë. Gjeta që këta rekrutonin politikanin të parin, drejtorin e policisë, policinë kriminale, prokurorët dhe të fundit gjykatësit. Ndaj ata vrisnin dhe nuk u hynte ferra në këmbë. Ky sistem është, kudo prej tyre. U zbulua në Shkodër, me këtë sistem ata janë bërë kaq omnipotent dhe në rastin konkret Dumani është peng i Ymer Lalës, e kam thënë unë”, tha Berisha.
“E morët vesh ju, tre apartamente doli. Me tre apartamente dhe thoshte nuk ma ka dhënë kisha. Ku i gjete ti 3 apartamente se në mënyrë absolute me një rrogë nuk blen dot një apartament të vetëm. Jo të blesh tre dhe pastaj çonte mesazh gazetarëve, jo po thoni po vajza. Vajza ime i ka të gjitha të deklaruara në çdo faturë. Nuk paguajnë 14 mijë lekë jo, për 7 vite është paguar 8-9 mijë dollarë në OKB etj., me rradhë. Vajza ime i ka të gjitha, se paska vajza ime duhet të ketë dhe ai që vjedh. Kjo që i ka të ligjshme dhe të deklaruara duhet të krahasojë veten ky tani, që nuk e tregon dot kurrë të blesh tre apartamente me një rrogë”, tha Berisha.
Berisha përsëriti sërish kërkesat e opozitës kundrejt mazhorancës socialiste, për qeveri teknike.
Berisha tha se PD ka ndezur motorët e mosbindjes civile, të cilët janë njëkohësisht motorët e fushatës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ne nuk e përjashtojmë, ne jemi për zgjedhje. Në diktatura ka dy rrugë miqtë e mi, kjo është narkodiktaturë me të gjithë treguesit e saj, tani për fat të mirë kemi dhe mbështetje ndërkombëtare.
Ne jemi për mosbindje civile, nuk mashtrojmë ne shqiptarët. Ne jemi për mosbindje civile, gjersa të bëjmë zgjedhje të lira. Ky duhet të pranojë qeverinë teknike, hajde bëjmë zgjedhje, fito po deshe me qeveri teknike”, u shpreh Berisha.
Berisha falënderoi publikisht gjykatëse e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Flojera Davidhi.
“Kjo gjykatëse mori vendim në përputhje me ligjin dhe unë e falënderova publikisht”, tha Berisha.
/a.f/
